VIP Shpija – largohet Enver Petrovci, lavderon Millosheviçin

Author: | Posted in Culture No comments

Ka qëndruar vetëm dy ditë brenda shtëpisë më të famshme të momentit “Vip Shpija”, e cila ka hapur dyert për disa nga personazhet e famshëm të skenës në Kosovë dhe Shqipëri. Aktori Enver Petrovci është larguar ditën e mërkurë, duke lënë përgjysmë garën.

Nuk është dhënë asnjë shpjegim për largimin e tij nga loja, ndërkohë që autorët e programit janë mjaftuar vetëm me një fjali: Arsye personale! Ka zëra që thonë se largimi ka qenë i lidhur me shëndetin e tij, kanë qenë familjarët që kanë insistuar që Enveri të lërë lojën, pasi nuk është mirë nga ana shëndetësore dhe qëndrimi brenda në atë shtëpi mund të ndikojë për keq.

Megjithatë, ky informacion mbetet në kuadrin e hamendësimeve dhe thashethemeve pasi as Enveri nuk ka preferuar të flasë për mediat. Ndërkohë zëra të tjerë e lidhin largimin e tij me një tjetër ngjarje që ka ndodhur ditët e fundit dhe që ka përfshirë aktorin e famshëm.

Ai ka dhënë një intervistë ku ndër të tjera ka folur për jetën e tij dhe pikëpamjet e tij mbi çështjet aktuale, ate në Kosovë dhe nostalgjinë për të kaluarën, sidomos në ish-jugosllavinë federale.

Këtë Petrovci e ka rrëfyer për portalin serb Telegraf, Në pyetjen e parë se si po i duket jeta dhe Prishtina ku ka lindur, është shkolluar dhe ka qenë profesor, artist dhe drejtor teatri, Petrovci ka përshkruar ngjarjen:

“Eshtë duke u përkeqësuar, pisllëqe dhe korrupsion. Në rast se do të pyetej populli, i tërë ky kaos nuk do të ishte. Këtu nuk ka logjikë: hesht dhe jeto, çfarëdo që të ndodhë. Gjeneratat që sot kanë 30 vjet apo më shumë kanë jetuar tërë kohën në geto.

Ndoshta sot nuk rrihen nëpër rrugë, por ata akoma jetojnë në geto. Tanimë nuk ka dallim midis fshatit dhe qytetit. Falë mikut tonë Sllobodan Millosheviç, që popullin shqiptar e ka shëtitur kudo nëpër botë, nga Zelanda e Re deri në Kamerun, sot kemi krejtësisht një klasë të re të të rinjve, që në mënyrë perfekte flasin gjuhën angleze.

Nuk ka sot turp që një vajzë del me minifund, qëndron jashtë deri vonë dhe se gratë janë të bukura. Dikush më tha se pas luftës gjithnjë po lindin vajza të bukura”. Por duket se përmendja e Millosheviçit dhe aq më shumë notat pozitive që ka pasur për të në përgjigje, nuk janë pritur mirë nga lexuesit.

Dhe për të shmangur ndonjë keqkuptim ose ndonjë degradim që mund të lindë vetëm prej kësaj interviste, thuhet që Enveri ka lënë lojën për të qenë vetë prezent dhe për t’u dhënë përgjigje gjithë keqkuptimve që mund të lindin nga kjo intervistë.

Similar Posts: