Topi: Dekreti i Presidentit Nishani i pritshëm

Author: | Posted in Politics No comments

VENDIMI PËR SHISH-IN PIKËPYETJE PËR TË ARDHMEN E INSTITUCIONIT

Ish-presidenti Bamir Topi ka kritikuar ashpër dekretin e pasardhësit të tij për shkarkimin e kreuit të SHISH-it. Në vlerësimin e Topit kjo ishte lëvizje e paralajmëruar kohë më parë. “Ky vendim ngre pikëpyetje për të ardhmen e këtij institucioni”, – vuri në dukje ish-presidenti Topi sa i takon shkarkimit të Bahri Shaqirit dhe emërimin e Visho Likë’s si kreu i ri i SHISH-it.

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” nuk kurseu akuzat ndaj Kryeministrit Berisha, ku gjykoi se përmes lëvizjeve të tilla po tentohet të rikthehet fryma totalitariste në institucione. Sipas tij, ndryshimet e fundit në institucione, duke nënkuptuar emërimin e kreut të ri të SHISH-it dhe nënkryetarit të KLD-së, janë simptoma të qarta të një politike totalitariste.

“Ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, tendenca për të kapur të gjitha pushtetet. Brenda 2-3 javësh ka pasur ndryshime në institucione të rëndësishme, të gjitha kandidaturat janë politike. Tentativa e Kryeministrit është e qartë për të kapur çdo institucion”, – nënvizoi Topi.

Njëkohësisht gjatë fjalës së tij Topi bëri me dije faktin se në kohën kur ishte në krye të shtetit në zyrën e tij nuk mbërriti asnjë propozim nga Kryeministri Berisha për shkarkimin e kreut të SHISH-it apo emërimin e ndonjë kandidati tjetër. “Nga Berisha nuk kam pasur asnjë propozim për shkarkimin e Shaqirit.

Pati debate vetëm për projektligjin për SHISH-in, pasi u hartua pa bashkëpunimin me SHBA-të”,- u shpreh Topi lidhur me një çështje të tillë. Gjatë intervistës së tij ai u ndal dhe në angazhimin e tij në politikë me Frymën e Re Demokratike, ku vlerësoi se për momentin ka bërë vetëm një hap drejt afrimit me FRD-në.

Nga ana tjetër Topi konfirmoi se fundi i këtij muaji do të shënojë zyrtarisht rifillimin e karrierës së tij në politikë me partinë e re të spektrit të djathtë. “Unë e kam deklaruar publikisht afrimin me FRD-në. Nëse në fillim kam pasur mëdyshje, tani jam më i bindur se kurrë për nevojën për t’u kthyer në politikë.

Mund të them me plot gojën se fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të jenë ditët kur unë do të rifilloj karrierën në politikë me FRD-në”, – u shpreh Topi sa i takon rikthimit të tij në politikën aktive.

Similar Posts: