Rruga e varrezave, Bashkia nis rinkostruksionin

Author: | Posted in Economy No comments

BASHA: INVESTIMET NË KËTË ZONË TË QYTETIT NUK DO TË MUIMGOJNË

Kanë nisur punimet në Tiranë për rikonstruksionin e plotë të rrugës “Llambi Ziçishti”, pjesë e njësisë numër 6 në zonën e Kombinatit, e cila lidh varrezat e Sharrës me rrugën kryesore. Investimet e financuara nga Bashkia e Tiranës do t’i japin një pamje të re kësaj rruge që i shërben komunitetit të kryeqytetit, për të shkuar dhe në varrezat e Sharrës.

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, tha se punimet do të kryhen në një territor të vështirë kodrinor, mbi të cilin prej vitesh nuk është vënë dorë, duke u lënë në harresë të plotë. “Investimi do të shërbejë gjithashtu për t’i dhënë afro një mijë banorëve të zonës parametra evropianë, ndonëse terreni siç e shikoni është i vështirë, pasi kjo pjesë e Tiranës ndodhet faktikisht në kodër dhe ndonëse shtëpitë janë ndërtuar prej vitesh, kushtet ngjasojnë me gjendjen e para disa viteve të komunave më të thella dhe të harruara të vendit”,-tha Basha.

“Por ky do të jetë vetëm fillimi i investimeve për zonën e Kombinatit”,-tha kryetari i Bashkisë. Për një shërbim sa më të mirë ndaj banorëve, do të investohet edhe në segmente të tjera rrugore, si dhe në shkolla, çerdhe e kopshte.

“Ky nuk është investimi i vetëm i buxhetit të 2012-ës për Kombinatin, për njësinë bashkiake numër 6. Ka nisur puna dhe së shpejti do ta inspektojmë në rrugën “Hamdi Cenoimeri” dhe po përgatitemi që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare të çelim punimet edhe në rrugën e Qelqit.

Përveç kësaj po investohet edhe në objekte shkollore dhe parashkollore për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj njësie bashkiake”,-theksoi ai. Ndërkohë, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore do të shoqërohen dhe investime në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve, si dhe në shtimin e hapësirave të gjelbërta në blloqet e banimit.

Segmenti rrugorë që lidh varrezat e Sharrës me aksin rrugor që futet në brendësi të Tiranës nuk është rinkostruktuar asnjëherë, duke e lënë rrugën që dërgon njerëzit drejt banesës së fundit në kushte tepër primitive.

Ky investim do të mundësojë një rehabilitim të rrugës në parametra optimale, si dhe do të bëj të mundur sjelljen e ujit të pijshëm deri në shtëpitë e banorëve nga UKT-ja.

13.8 milionë lekë, investimi për rindërtimin e rrugës

Disa nga zonat ku ka investuar bashkia

Deri më tani Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në disa segmente rrugorë të qytetit. Ndër më kryesorët mbeten investimetnë rrethrrotullimi e doganës, ku është mundësuar një lehtësim i trafikut rrugor, pasi kjo zonë shquhej si një nga më problematiket.

Krahas kësaj investim i rëndësishëm është edhe shtrimi i rrugëve të zonës periferike të Tiranës, Kodra e Priftit. Rehabilitimi i rrugës bëri që banorët pas 15 vitesh të mund të kenë ujë të pishëm në shtepitë e tyre.

Investime madhore të bashkisë priten që të bëhen vitin e ardhshëm ku në projekt janë zgjerimi i bulevardit kryesor drejt Paskuqanit, rehabilitimin e lumit të Tiranës, si dhe ndërhyrjen në lumin e Lanës.

 

Similar Posts: