Rregullat e reja për licensimin e infermierëve

Author: | Posted in Social No comments

Ndryshojnë rregullat për licencimin e një sërë profesionesh mjekësore. Konkretisht bëhet fjalë për procedurat e reja që do të ndiqen nga gjithë studentët që diplomohen gjatë këtij viti në degët infermier, mami, fizioterapi, teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist. Përveç praktikës profesionale këta studentë do të zhvillojnë një tjetër testim para se të hyjnë në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit konfirmojnë të drejtën për t’u pajisur me licensën për ushtrimin e profesionit.

Sipas Urdhrit të Infermierit, pas pajisjes me diplomë të gjithë kandidatët duhet të paraqiten pranë zyrave të këtij Urdhri në të gjitha rrethet për t’u informuar në lidhje me procedurat për lejen e ushtrimit të praktikës si dhe të dhënies së provimit profesional para se të zhvillojnë provimin e shtetit.

Pjesë e kësaj mënyre regjistrimi do të bëhen edhe të gjithë personat që kanë mbaruar studimet në vitin 2010, 2011 për infermier, mami, fizioterapi, por që ende nuk janë regjistruar pranë urdhrit. Ndërsa studentët të cilët janë diplomuar pas datës 13.09.2011, për teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist, bëhen pjesë e kësaj procedure dhe, nëse janë diplomuar para kësaj date, do të marrin lejen e ushtrimit të profesionit pa kaluar në këto procedura.

Pas dorëzimit të dosjes, kandidatët do të marrin dokumentet e mëposhtme: librezën e praktikës profesionale, e cila përmban në pjesën e saj informacionin e përgjithshëm si dhe temat në lidhje me provimin e praktikës profesionale. Jepet edhe leja e ushtrimit të praktikës profesionale, dokument që shërben për të kryer praktiken profesionale.

Kjo leje ka një datë të caktuar në cepin e djathtë lart saj, duke filluar nga kjo datë e tre muaj në vazhdim kandidati ka të drejtë të bëjë praktikën profesionale në vazhdim, si dhe karta e identitetit profesional, që duhet mbajtur gjatë gjithë kohës. Për personat që janë diplomuar për infermieri dhe mami, duhet të bëjnë një praktikë dyjavore në shërbimin e urgjencës pranë rretheve ku jetojne.
Pas mbarimit të praktikës studentët do t’i nënshtrohen një testimi special, ku do t’u përgjigjen 5 pyetjeve, me të cilat jane njohur që gjatë praktikës. Secila prej pyetjeve do të vlerësohet me 25 pikë, ndërsa pikët maksimale të testit janë 100.

Që kandidati të vlerësohet “kalueshëm” dhe të regjistrohet për provimin e shtetit, duhet që të marrë të paktën 50 pikë, nga të cilat një pjesë i ka përmes vlerësimit në librezë, deri në 25, kurse pjesën tjetër duhet ta fitojë nga përgjigjet e pyetjeve që do të japë gjatë këtij testimi. Vetëm kur vlerësohet “kalueshëm” nga ky testim atij i çohet emri në Agjencinë Kombëtare për të dhënë provimin e shtetit.

E pasi realizon edhe këtë të fundit, studentet pajisen me lejen e ushtrimit të profesionit të lirë pranë urdhrit profesional, në këtë rast Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë.

Similar Posts: