Renta minerare, rriten 75 % të ardhurat për 6-mujorin

Author: | Posted in Economy No comments

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat nga renta minerare shënuan rritjen më të mëdha të këtyre viteve të fundit. Sipas të dhënave doganore, të ardhurat nga renta arritën në 2.667 miliardë lekë, ose 75 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ritmet e rritjes kanë qenë të larta edhe vitin e kaluar, por ndryshe nga një vit më parë, në fillim të këtij viti, të ardhurat më tepër ishin falë vendosjes së taksës që përllogariste rentën edhe për mineralin e përpunuar, e jo vetëm atë të nxjerrë.

Një vit më parë, sipas përfaqësuesve të kompanive eksportuese, renta u rrit me rritjen e sasisë së nxjerrjes dhe eksportit të mineraleve. Gjatë këtij viti, përfaqësuesit e kompanisë së nxjerrjes e pasurimit të bakrit “Beralb” vlerësojnë se pati një efekt të përkohshëm të rritjes, pasi taksa e vendosur në fillim të vitit është hequr, ndaj edhe të ardhurat që buxheti mund të sigurojë në gjysmën e dytë të vitit pritet të jetë më të kufizuara.

Në tkurrje të të ardhurave pritet të ndikojë edhe interesi i ulur i eksportuesve për shkak të çmimit në tregun ndërkombëtarë, i cili nuk është në nivelet e tij më të mira.

Kursi i këmbimit, leku forcon pozitat, vijon rënia e euros

Ashtu sikurse pritej, muaji gusht ka nisur i mbarë për monedhën vendase. Që në fillim të javës, leku është forcuar ndjeshëm ndaj euros, duke u kuotuar në nivelin e 137.05 lekë, me një rënie prej 0.23 lekë, në krahasim me ditën e premte.

Rënia më e ndjeshëm ka qenë për dollarin, i cili dje u kuotua me 110.53 lekë në raport me lekun, me një zhvlerësim prej 0.37 lekë, në raport me ditën e parë të javës. Një gjë e tillë faktohet në kursin zyrtar të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Muaji gusht karakterizohet nga një forcim i monedhës vendase, për shkak të rritjes së prurjeve nga emigrantët, të cilët kthehen për pushime në atdhe. Me shtimin e fluksit të emigrantëve nga vende të ndryshme, aktivizohet së tepërmi kursi i këmbimit, dhe shtohet kërkesa për lek.

Kjo ndikon në forcimin e monedhës vendase në tregun valutor. Kryesisht dhe për një periudhë konstante leku ka njohur pozita të favorshme përballë monedhave të huaja kryesore, euros dhe dollarit. Një euro e dobët favorizon qytetarët që kanë marrë kredi në këtë valutë, ata do të shpenzojnë më pak lekë për të blerë euro për pagesën e këstit mujor.

Po kështu importet do të jenë më të lira, çka pritet të reflektohet në uljen e çmimeve në treg. Por zhvlerësimi i euros penalizon eksportet, pasi sjell më pak të ardhura prej tyre.

Similar Posts: