Pse nuk mjaftojne arritjet e qeverise per te fituar zgjedhjet?

Author: | Posted in Kosovo News, Social No comments

Para pak ditësh dega e Partisë Demokratike të ‘Pogradecit mblodhi kuvendin e jashtëzakonshëm të saj. Demokratët pogradecarë në bashkëpunim me kryesinë qendrore të PDSH-së thirrën organin më të lartë vendimmarrës të degës për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese.

Procesi zgjedhor dhe analiza e punës, që nga seksionet, grup-seksionet, kryetari dhe kryesia e degës, zgjati rreth dy muaj. Në kuvendin zgjedhor morën pjesë sekretari i përgjithshëm, zoti Ridvan Bode, anëtari i kryesisë Edmond Spaho dhe deputeti Fatbardh Kadilli.Në një garë të bukur midis 4 intelektualëve të njohur kryetar u zgjodh ing. Luan Lipo.

Për anëtar kryesie garuan afro 100 zonja e zotërinj për 23 vende që përcakton statuti i Partisë. Kuvendi i degës u thirr një vit para kohe, si reflektim ndaj rezultateve jo të kënaqshme në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Ish-kryetari, zoti Niko Dudo, në raportanalizën që paraqiti, evidentoi me korrektësi arritjet dhe me përgjegjësi të lartë mangësitë e konstatuara në fushatën e fundit elektorale.Zoti Bode krahas përshëndetjes që i bëri kuvendit në emër të kryetarit të PDSH-së, prof. dr-. Sali Berisha, paraqiti një ekspoze të gjerë të arritjeve të qeverisë, investimeve të shumta në qarkun e Korçës dhe në Shqipëri, shmangies së krizës që ka përfshirë rajonin, por dhe ekonomi të mëdha perëndimore.

Në fjalën e tij ai theksoi gjithashtu: “Strukturat që zgjidhni sot janë ekipi që do të drejtojë fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Sfida e vitit tjetër është beteja për vazhdimësinë e projektit të PD-së për të bërë vendin me infrastrukturë moderne nga njëri skaj në tjetrin. “Ne, – u shpreh Bode, – jemi krenarë, sepse e kemi përmbushur kontratën me shqiptarët.

Kemi të drejtë t’u kërkojmë votën përsëri në funksion të përmirësimit të standardeve të jetës për çdo qytetar. Edhe pse kriza botërore reflekton në ekonomitë e të gjitha vendeve, kemi mundur që të vazhdojmë rritjen ekonomike, pagat, pensionet. Mbi të gjitha vazhdojmë të investojmë.

” Në fjalën e tij ai evidentoi si sukses të padiskutueshëm investimin në aksin Tiranë-Elbasan, Qukës-Pllocë, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Rrugën e Arbrit etj.Ngritja e siparit për rifreskimin e strukturave lokale të PD-së është një ogur në vigjilje të vitit elektoral që po vjen. Ballafaqimi në zgjedhjet e ardhshme kërkon angazhim maksimal të secilit anëtar të PD-së. Vetëm sukseset e qeverisë, sado të mëdha që janë, nuk mjaftojnë për të rimposhtur opozitën radikale dhe mohuese në gjithçka.

Përfshirja e çdo të qytetari në debat ka qenë motoja e përhershme e Kryeministrit Berisha dhe një direktivë e përsëritur për çdo qelizë të strukturave tona. Gjej rastin të kujtoj se jo të gjitha degët janë në aktivitet të pandërprerë për anëtarësime të reja. Në gjitha qytetet ka një fluks të madh të të rinjve që duan të kontribuojnë në radhët e Partisë Demokratike.

Ata e shohin veten natyrshëm nën siglën blu, sepse programi i saj dhe vullneti i kësaj qeverie ju plotësuan jo vetëm ëndrrën e tyre, por dhe të prindërve për t’u ndier qytetarë të lirë të Europës. Ritmet e larta të punës organizative me strukturat, seksione, grup-seksione ndihen posaçërisht në disa grup-seksione të Tiranës si dhe grup-seksionet në Kamëz, Paskuqan, Vorë etj. Pavarësisht sezonit veror, një punë e pandërprerë bëhet në degën e Elbasanit, të Korçës, Durrësit, Dibrës, Matit, Kukësit, Pukës, Shkodrës, Lushnjës, Patosit, Përmetit, Vlorës, Kuçovës, Gramshit etj. Drejtuesit e këtyre degëve janë të pranishëm në shtypin e shkruar, në mediet vizive, në debate, në takime.

Nuk duhet harruar që shumë qytete tashmë kanë edhe statusin si qytete universitare. Më parë këtë privilegj e gëzonin, veç Tiranës, Shkodra, Elbasani, Korça, Gjirokastra dhe Vlora. Harta universitare është zgjeruar. Tani ka universitet apo filial, Durrësi, Kukësi, Peshkopia, Fieri, Berati, Lushnja, Saranda. Realiteti i tillë dëshmon se auditoret me të rinj janë gjithkund, por ky fluks duhet orientuar drejt grupimit të shpresës.Ka edhe degë ku organet drejtuese apo vetë kryetari i saj, kanë rënë në gjendje apatie fill mbas zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar.

Ata ngurrojnë të mbartin përgjegjësinë e ngarkuar dhe ju shmangen ballafaqimeve mediatike apo me kundërshtarin politik. Situatë e tillë, p.sh. vihet re në disa degë. Nisur nga rëndësia që kanë po ju referohem dy prej degëve të mëdha, Fier dhe Lezhë. Drejtuesit e degëve përkatëse janë intelektualë dhe profesionistë të zotë, por i janë përkushtuar vetëm detyrave administrative, duke harruar besimin e mijëra demokratëve që kanë besuar tek ata. Shkurt, janë shndërruar në zyrtarë që mund të administrojnë vetëm një zyrë në 8-orëshin e parë të ditës.

Pasditet i kanë në funksion të vetes edhe pse kafen e pinë dy godina larg zyrave të PD-së, çelësat e së cilës mbajnë në xhep, Për të mbushur këtë vakum rendin nga Tirana anëtarët e kryesisë së PDSH-së dhe deputetët e zonave përkatëse.

Ndodh që më shumë takime në një rreth bën ministri, anëtari i Kryesisë qendrore sesa drejtuesi lokal i strukturës. Ky fenomen përsëritet edhe me format e tjera të komunikimit si me telefonin apo postën elektronike. I shkruan ose thërret në telefon deputetin, ministrin dhe dëgjon “alo”.

Nuk ka qytetar në këtë vend që t’i ketë shkruar doktor Berishës dhe të mos ketë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet segmenteve të tjera shtetërore. Çuditërisht, gjen kohë Kryeministri, që ka ngarkesë të jashtëzakonshme, dhe përtojnë të hapin telefonin disa drejtues vendorë, qofshin partiakë apo administrativë. Ndaj mendoj se rinisja e punës me strukturat lokale përbën një lajm të mirë.

Similar Posts: