Presidenti Nishani dorëhiqet nga PD-ja

Author: | Posted in Kosovo News, Politics No comments

Detyrimet kushtetuese kanë sjellë dorëheqjen, e Presidentit të zgjedhur Bujar Nishani nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike. Kështu, nisur nga fakti se ditën e martë Kuvendi do të zhvillojë një seancë të posaçme, në të cilën do të bëhet betimi i kreut të ri të shtetit, Nishani pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm largohet dhe nga detyrat dhe detyrimet që kishte si anëtar i Partisë Demokratike. Këtë vendim të tij Presidenti Nishani ia ka bërë me dije kreut të mazhorancës, hap i cili është rrjedhojë e detyrimeve të ligjit themeltar të shtetit.

Letra

Presidenti i zgjedhur i vendit, Bujar Nishani, përmes një letre dërguar dje kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha e njoftoi për largimin nga anëtarësia në Partinë Demokratike dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti. Ky fakt u bë i ditur përmes një deklarate për shtyp, përmes së cilës sqarohej se ky largim vjen pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Republikës dhe në zbatim të përcaktimit kushtetues, sipas të cilit Presidenti i Republikës nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie politike.

Qëndrimi

Në letrën e tij Presidenti Nishani nuk mund të mos radhiste dhe një sërë vlerësimesh për pozicionin dhe rëndësinë që lidershipi demokrat i ka dhënë atij gjatë gjithë viteve që nga fillesat e aderimit të tij në këtë parti e deri më sot.

Në deklaratën për shtyp të vënë në dispozicion për medien theksohet se kreu i ri i shtetit i ka adresuar kryetarit të Partisë Demokratike falënderimet për vlerësimin që ka pasur nga strukturat e kësaj partie gjatë viteve të angazhimit dhe veprimtarisë së tij politike.

“Presidenti Nishani ka shprehur gjithë vlerësimin e tij për hapësirën dhe ambientin bashkëpunues që ka pasur në strukturat e Partisë Demokratike, në promovimin e të gjitha vlerave demokratike dhe parimeve në të cilat ka besuar gjatë gjithë kësaj periudhe”, – theksohej në ‘njoftimin për shtyp.

Njëkohësisht në vijim të kësaj fryme Presidenti Nishani me këtë rast ka nënvizuar gjithë përgjegjshmërinë e tij për të qenë një president tërësisht jashtë ndikimeve politike të çdo pale dhe një përfaqësues i interesave të qytetarëve, të vendit dhe kombit.

Nishani u zgjodh pak kohë më parë si presidenti i ri i vendit, votim i cili mori mbështetjen e deputetëve të mazhorancës qeverisëse. Menjëherë pas propozimit për të kandiduar për një post të tillë Nishani dha dorëheqjen si titullar i Ministrisë së Brendshme.

Zgjedhja e tij për të konkurruar si kreu i ri i institucionit të Presidentit u kundërshtua nga parlamentarët socialistë, kundërshtim i cili u reflektua dhe në Kuvend, ku, edhe pse të pranishëm në sallë, ditën e votimit për presidentin e ri ata nuk morën pjesë në këtë proces.

Similar Posts: