I dehur, vret të shoqen me 6 thika. Ai pinte, ajo punonte

Author: | Posted in Social No comments

PRANGA 43-VJEÇARIT ARBEN KOXHAJ. VDES MANJOLA 32-VJEÇE

Me 6 goditje thike e ka vrarë gruan e tij një 43-vjeçar nga Tirana. Manjola Koxhaj, 32-vjeçe, nënë e dy djemve 5 dhe 9 vjeç, është qëlluar për vdekje nga i shoqi, Arben Koxhaj, 43 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të mërkurës te ish-fusha “Misto Mame”, Tiranë.

Policia njoftoi se 32-vjeçarja Manjola Koxhaj ka ndërruar jetë pas mesnate në Spitalin Ushtarak si pasojë e plagëve të rënda, ku i shoqi e kishte dërguar me urgjencë. Duket se versioni i 43-vjeçarit se e kishte qëlluar pa dashje, nuk i ka bindur oficerët e policisë, të cilët i kanë hedhur prangat me akuzën e vrasjes së bashkëshortes.

Sipas burimeve policore, gjatë marrjes në pyetje Arben Koxhaj ishte nën efektet e alkoolit. Konsumi i pijeve alkoolike dyshohet të ketë ndikuar në grindjen për motive banale të ndodhur në kuzhinën e katit të parë të banesës së tyre, ku ndodhi krimi.

Mësohet se dy djemtë në atë orë ishin në gjumë në dhomën tjetër. Për të afërmit e familjes Koxhaj ka qenë e vështirë të prononcoheshin për ngjarjen për vetë traumën që u kishte shkaktuar krimi i rëndë. Trupi i pajetë i 32-vjeçares është marrë nga familjarët e saj në morgun e Spitalit Ushtarak për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe vendosur në varrezat e të afërmve në Poliçan.

Sipas fqinjëve të çiftit, mes Manjolës dhe Arbenit ka pasur grindje të shpeshta, për të cilat kryesish shkak ishte pija e tepërt nga ana e 43-vjeçarit. Manjola ishte larguar 2-3 herë nga shtëpia për shkak të dhunës, por kthehej, sipas fqinjëve, gjithnje per shkak të dy fëmijëve.

Manjola ishte e vetmja që punonte në familje, në një firmë të tregtimit të produkteve të mishit per 19 mijë lekë në muaj. Ndërkaq si shkak i kësaj vrasjeje duket se do të shënohet vetëm fraza “sepse kishte pirë”.

Similar Posts: