Gjuha standarte, ku duhet te nderhyet dhe cfare te ruhet

Author: | Posted in Culture, Kosovo News No comments

Mehmet Çeliku është një ndër profesorët që ka punuar një jetë të tërë për gjuhën. Ai është një mbrojtës i standardit dhe për këtë qëllim ka realizuar disa studime për çështje të ndryshme të gjuhës.

Si pjesë e Këshillit Ndërakademik që ka diskutuar ndryshimet në gjuhë, prof. dr. Mehmet Çeliku ka mendimet e tij lidhur me ato çfarë duhet bërë dhe nuk duhet bërë në gjuhë. Në një intervistë ai thekson disa nga pikat e diskutuara duke mbajtur qëndrim mbi disa pika që sipas tij është ende herët përt’i diskutuar.
Prof. Çeliku disa ndry-shime të propozuara në shqipen standarde kanë përfshirë në debat një sërë gjuhëtarësh madje edhe politikanë. Çfarë mendimi keni për këto debate?

Debatet janë të mirëpritura, por duhet të jenë shkencore e të mbështetura në argumente. Debatet evidentojnë problemet, qartësojnë mendimet e gjuhëtare dhe të diskutantëve të tjerë. Mediat të merren me shqipen standarde veçanërisht, jo vetëm në raste debatesh.

Ato duhet të jenë të mirëinformuara e pastaj të mbajnë qëndrim, të shprehen. Drejtshkrimi i 1973-shit është një vepër madhore kodifikuese. Kongresi i Drejtshkrimit 1972 është një kongres shkencor, që miratoi drejtshkrimin e njësuar dhe gjuhën letrare shqipe të njësuar.

Kongresi i Drejtshkrimit 1972 është i krahasueshëm për nga rendesia e arritjet me Kongresin e Manastirit: Kongresi i Manastirit njësoi alfabetin e shqipes. Kongresi i Drejtshkrimit njësoi shkrimin dhe gjuhën letrare. Sivjet me rastin e 40-vjetorit duhet organizuar një konferencë jubilare.

Kanë kaluar rreth 40 vjet nga përdorimi i suksesshëm i Drejtshkrimit 1973 në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe në Diasporë. Shqipja standarde, përgjithësisht gjuha shqipe, është e do të jetë tipari themelor identifikues i kombit tonë. Shqipja standarde ka pasur dhe do të ketë në të ardhmen në BE të njëjtën rëndësi për shqiptarët.

Çfarë ndryshimesh sipas jush duhen bërë dhe cilat nuk duhen bërë?

Drejtshkrimi i 1973 duhet ribotuar (ribotimi i tij është i vonuar). Të ribotohet i përmirësuar i aktualizuar për ta aktualizuar, thjeshtësuar, për të reflektuar ndryshimet e praktikës njerëzore. Disa ndryshime përmirësuese duhen bërë, por këto të jenë shumë të kufizuara: Të bëhen ndryshime pa prekur bazën. Ndryshimet e mundshme që janë paraqitur me botime e intervista të ndryshme, sidomos të përmbledhura edhe në kumtesën e Durrësit, dhjetor 2010, janë këto:

1.Të mos shkruhet ë-ja fundore në emrat mashkullorë: lumë, burrë, ujë, djathë, gjalpë etj,
2.Të zëvendësohet nj-ja fundore tek emrat e mbiemrat ullinj, ftonj, të mëdhenj me -j (ullij, ftoj, të mëdhej).
3.Të ngrihet në normë trajta me -s në foljet, prashis; nis, masa, në vend të prashit, ujit, mat.
4.Të ngrihet në normë Koçua Nanua, Kostua në vend të Koçoja, Nanoja, Kostoja, os( të paktën të përdoren që te dyja si normative (Koçua/ Koçoja)
5.Të shtrihet në disa raste përdorimi i shkronjës së madhe në vend të shkronjës së vogël;
6.Të ngrihet në normë Eu- ropë, europian, etj. në vend të Evropë, evropian, etj. Të ngrihet në normë (i gjerë) në vend të (i gjer) etj.
7.Të shkruhen disa fjalë bashkë ejo ndaras kryesisht lidhëza e parafjalë (nëqoftëse e jo në qoftë se, etj).
8.Të redaktohet thellësisht vepra në materialin ilustrues në terminologji shkencore etj.

Këtyre ndryshimeve mund t’i shtojmë edhe raste të tjera luhatjes që tashmë janë të qarta.
Këto janë ndryshimet e kufizuara që duhen bërë. Ndërsa ato që për mendimin tim nuk duhen bërë janë: Të mos preket ë-ja e patheksuar para e pastheksore, të mos integrohet në standard paskajorja e gegërisht. Këto prekin bazën e drejtshkrimit 1973.Të mos humbim kohë me qëndrime të tilla të parakohshme e jo shkencore që nuk i përgjigjen gjendjes aktuale të standartit ose nevojave të tij. Standardi po kryen funksionet e tij në mënyrë të shkëlqyer. Asnjë problem nuk ka dalë në përdorimin e tij në katër dhjetëvjeçarët e kaluar.

Çfarë do të ndodhë me këto propozime?

Këshilli ndërakademik nuk është vendimmarrës. Çdo ndryshim të miratohet nga të gjithë anëtarët ose shumica dërrmuese duke arritur në një konsensus. Rezultatet e këshillit të bëhen publike. Sivjet me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit duhet organizuar një konferencë jubilare për të vendosur mbi këto ndryshime.

Ju jeni kundër reduktimit të ë-së së patheksuar. Pse?

Për zanoren ë si element i temës a si mbështetëse aktualisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ajo është e nevojshëm sepse siguron një shqiptim të qartë të fjalës, ruan përbërësit dhe strukturën e fjalës.

Ruajtja e saj nuk sjell asnjë problem,.përkundrazi.Gjendja aktuale shqiptimore e gjuhës e lejon atë. Vetë gjuha e ruan në një masë të konsiderueshme. Prirja për reduktim është më shumë veçori e një shqiptimi të shpejtë, ligjërimi bisedor, jo letrar, dukuri e shqiptimit dialektor, kryesisht verior(e ligjërimit bisedor).Heqja e saj do të shtonte përjashtimet në drejtshkrim.

Duhet pritur te kalojnë shumë vite në mënyrë që të përvijohen më mirë rregullat drejtshkrimore dhe prirja e dukurive e pastaj të reflektohet në variantin e shkruar të gjuhës letrare. Duhen studime më të thelluara.

Sot gjendja e gjuhës është e tillë që teorikisht nuk mund të shtrohet problemi ose më ë ose pa ë.Ka shumë fjaië që shqiptohen ndryshe nga njëra-tjetra.Këtu ndikojnë shumë faktorë ndër të cilat karakteri i bashkëtingëlloreve rrethuese, numri i’bashkëtingëlloreve kufizuese, grupet e rrokjet, numri i rrokjeve të fjalës, theksi i fjalës etj.

Ku duhet përqendruar vëmendja lidhur me shqipen standarde?

Ne shqiptarët kemi një shqipe standarde të re (rreth dyzet vjeçare nga konsakrimi i saj me ligj, por që i ka fillimet nga Rilindja). Kemi një shqipe standarde që funksion tash 40 vjet shumë mirë në të gjitha fushat e jetës, në administratë, në shkollë, arsim, në media, në letërsi artistike etj. Kujdesi për shqipen standarde duhet të rritet më tej duke u shtrirë e përdorur mirë në të gjitha trevat shqiptare e në diasporë. Qeveritë e shteteve ku ka shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi etj, të kujdesen që të përdoren tekste të njëjta kudo. Të përmirësohet mësimdhënia e gjuhës në shkolla.

Në shkollën e mesme të jetë lëndë e veçantë dhe sipas një programi të ri. Të mbrohet standardi me ligje të veçanta, të shtohet kujdesi për gjuhën e medies. Pranimi në shkollat e larta të bëhet duke dhënë gjuhën shqipe si lëndë të veçantë. Të shtohen korrektorët gjuhësorë në medie e gjithashtu të diskutohen më shumë problemet e gjuhës. Shkollat e larta të përmirësojnë planet mësimore, ku shqipja standarde të jetë lëndë e detyrueshme.

 

 

 

 

 

Similar Posts: