Ekspozitë artistike dhe artizanaie e Arian Panos

Author: | Posted in Culture No comments

MOTIV QYTETI I GJIROKASTRËS, PUNIMET PËR NDER TË FESTIMEVE PËR 100-VJETORIN

Të paktën 30 punime artizanale, me motiv qytetin e Gjirokastrës, u promovuan dje nga artisti i pasionuar Arjan Pano, në ekspozitën e çelur në mjediset e teatrit “Zihni Sako”, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Shtëpitë dhe portat karakteristike, të harmonizuara me një ndriçim të larmishëm, nxjerrin në pah madhështinë e objekteve, duke evidentuar kështu një qytet me një arkitekturë sa tradicionale, aq dhe moderne.

Pirro Qiqi, kritik i artit, tha se kjo ekspozitë është e veçantë, e cila jo thjesht apelon për një vëmendje ndaj kësaj pasurie të paçmuar që ka Gjirokastra në UNESCO, por na bën të gjithëve krenar që jetojmë dhe punojmë në këtë qytet të papërsëritur.

“Arjani përmes punimeve me material druri, kartoni, metali dhe të punuara në mënyrë artizanale i ka kthyer këto objekte në art, një shembull e një krijuesi qëndistar, i cili rrezaton përmes punimeve kulturë”, pohon Qiqi.

Sipas tij, Arjani me këtë ekspozitë ka mbajtur gjallë traditën familjare, madje fton publikun të shijojë jo vetëm shtëpitë dhe porta karakteristike gjirokastrite, por na “detyron” të hyjmë dhe brenda tyre, përmes 16 ndriçues të stilizuar, duke i dhënë dritë ambienteve.

“Elementi i spikatur i ndriçimit të brendshëm dhe të jashtëm është befasues, ç’ka e bën artistin, një mjeshtër të vërtetë në këtë fushë”, nënvizon Qiqi. Në fjalët përshëndetëse, artisti Arjan Pano, tha se “ndër vitet që ikin, ndër njerëzit që kam njohur dhe dashur, ndër rrugë e sheshe, sot me përulësi, në këtë vit të bekuar të kombit shqiptar, sjellë për publikun një “copëz” gjirokastrite”.

“Këto punime simbolike, inspiruar nga perlat e infrastrukturës së qytetit, unike në llojin e vet, po i servir për të gjithë artdashësit gjirokastrit. Gjirokastra na përket të gjithëve!”, shprehet Arjan Pano.

Mimoza Çomo, prefektja e Gjirokastrës, duke vlerësuar artistin Pano, thotë se artizanati është një art i bukur, ndërsa ekspozita, e para e këtij lloj në qytetin e Gjirokastrës, është si “qershia mbi tortë”, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Në Gjirokastër tashmë është ringjallur artizanati, si një mundësi për zhvillimin ekonomik. Ekspozita e sotme tregon qartë se sa të lidhur janë gjirokastritët me këtë art”, nënvizon Çomo.

Similar Posts: