Bankat ulin investimet, nisin paratë te “mëmat”

Author: | Posted in Social 1 Comment

INVESTIMET E BANKAVE NË BONO THESARI U TKURRËN ME 4 PËR QIND

Aktivet e sistemit bankar shqiptar shënuan një rritje prej 3.4 për qind në gjashtëmujorin e parë 2012 në krahasim me fundin e vitit 2011, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Por në një kohë që rritja e depozitave ka qenë saktësisht me të njëjtat ritme (3.4 për qind në raportin me fundin e 2011-s) bankat kanë preferuar që këto para t’i investojnë në bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare, kryesisht jashtë vendit, sesa duke dhënë kredi për ekonominë, apo duke financuar borxhin e qeverisë shqiptare.

Rreth 80 për qind e shtesës së aktiveve ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së zërit “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare” i cili u shtua me 29.3 miliardë lekë në fund të qershorit në raport me dhjetorin 2011, nga 38 miliardë lekë që ishte shtesa e aktiveve në total për të njëjtën periudhë, sipas statistikave te BSH.

Ndërkohë, investimet e bankave në bono thesari u tkurrën me 4 për qind apo 4.2 miliardë lekë në fund të qershorit, në raport me muajin dhjetor 2011. Sidomos rënie është shënuar në tremujorin e dytë, ku investimet e bankave në bono thesari u ulën me,11 për qind apo 13 miliardë lekë në raport me tremujorin e parë 2012, duke vënë në vështirësi qeverinë për financimin e borxhit të brendshëm.

Edhe investimet e bankave në kredi kanë qenë minimale. Zëri “Hua dhënë sektorit privat dhe individëve” u rrit me më pak se 1% në krahasim me fundin e 2011-s. Sistemit bankar rezulton që në gjashtëmujorin e parë të ketë ndier dukshëm sjelljen e bankave me kapital perëndimor, që në ndjekje të direktivave të bankave mëmë, kanë ulur investimet në kredi e bono thesari.

Bankat mëmë duhet të rrisnin raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9 për qind deri në fund të muajit qershor, çka u shoqërua me lëvizje, që konsistojnë në reduktimin e aktiveve që mund të konsiderohen me probleme, si huatë apo letrat me vlerë të qeverive.

Situata pritet të përmirësohet në tremujorin e dytë, pasi objektivi për arritjen e këtij treguesi është përmbushur nga bankat e eurozonës, çka do të ulë presionin dhe në filialet e tyre në Shqipëri.

Similar Posts:

Comments
  1. Posted by Adnan